20 ditë pas telegramit të kryepolicit Skënder Hita, i cili urdhëroi patrullat e Policisë Rrugore të mos kryenin ndalime të automjeteve në akset kryesore, por t’i konstatonin shkeljet vetëm përmes teknologjisë, patrullat janë rikthyer sërish në terren për kryer ndalime.
A2 CNN disponon telegramin, ku Hita udhëzonte strukturat që të shmangnin çdo veprim që sjell ndalimin e qarkullimit të mjeteve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas këtij urdhri, shkeljet duhej të evidentoheshin përmes pajisjeve teknologjike dhe jo përmes ndalimeve fizike.
Nga 10 prilli deri më sot, periudhë kur u zbatua ky urdhër, në vend janë regjistruar në total 21 viktima dhe mbi 100 të plagosur nga aksidentet rrugore.
Aksidenti më i rëndë ndodhi më 3 maj në Durrës, ku një 57-vjeçar, nën efektin e alkoolit, përplasi në trotuar tre fëmijë, duke u marrë jetën dy prej tyre.
Pas këtij rasti tragjik, patrullat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin kanë nisur sërish ndalimin e automjeteve. Një nga kontrollet bazë është testi i alkoolit, i cili nuk mund të kryhet përmes teknologjisë. Kjo përplaset edhe me përmbajtjen e telegramit, ku përcaktohej se pajisjet për konstatimin e shkeljeve, përfshirë ato të shpejtësisë, duhet të përdoreshin vetëm në regjim automatik.
Ndërkohë, ministri Lamallari deklaronte më 24 prill se teknologjia, përmes dronëve dhe mjeteve inteligjente, do të monitoronte çdo shkelje, përfshirë edhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit. Por rasti i Durrësit tregoi qartë se një shkelje e tillë nuk mund të konstatohet pa ndërhyrje direkte në terren. Qytetarët shprehen se ligji duhet të jetë i fortë po ashtu edhe kontrolli policor në terren.
Në telegram parashikohej gjithashtu që, në rastet kur do të vlerësohej e nevojshme, të hartoheshin plane masash për ngritjen e pikave të kontrollit. Duket se pas aksidenteve të rënda, kjo pikë ka nisur të zbatohet, duke lënë në hije pjesën tjetër të udhëzimeve.
Brenda vetëm 20 ditësh, aksidentet me pasoja fatale tronditën opinionin publik dhe treguan edhe njëherë se ne si shoqëri, nuk e respektojmë ligjin nëse presioni para nesh nuk është fizik, ndryshe rrezikohet drejtpërdrejt jeta e qytetarëve.
(A2 Televizion)