Një vit pasi la qelitë e burgut për të qëndruar ne liri me kusht, Sajmir Tahiri rikthehet ne SPAK. Ai qëndroi dy ore dhe vetëm pak minuta me parë doli nga godina e Prokurorisë së Posaçme.
“Më vjen keq që keni ardhur. Nuk kam gjë për të thënë”, tha ish-ministri pas daljes nga SPAK.
Saimir Tahiri u paraqit sot në SPAK për të dhënë deklarime si person që ka dijeni për një hetim pasuror ndaj tij dhe njerëzve të afërt të tij, hetimi i nisur nga SPAK pas dyshimeve dhe kallëzimeve për pasuri të pajustifikuara në burime të ligjshme. Ish-ministri shoqërohej në strukturën e Posaçme nga avokati i tij Maksim Haxhia.
Tahiri u dënua në vitin 2019 i akuzuar për grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si bashkëpunëtori i grupit të Habilajve. Në përfundim të atij gjykimi, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie. Gjykata në vendimin përfundimtar vlerësoi se ish- ministri duhet të fajësohej vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 5 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 3 vjet e 4 muaj, por edhe ky dënim u pezullua dhe sipas shkallës së parë duhet të qëndronte në shërbim prove.
Me kalimin e dosjes në Apelin e Posaçëm, gjykata vendosi të lërë në fuqi dënimin me 3 vjet e 4 muaj dhe e dërgoi në qelitë e burgut Saimir Tahirin. Dënimin e kreu në burgun e Fierit dhe të Kosovës në Lushnje, ku qëndroi nga shkurti 2022 në qershor 2023 ku më pas u lirua me vendim të gjykatës së Elbasanit, që pranoi kërkesën e tij për lirim të parakohshëm të Saimir Tahirit me disa rrethana specifike familjare, bazuar në një raport mjekësor sa i përkiste një problemi shëndetësor të bashkëshortes së tij. Ky vendim e detyronte Tahirin të qëndronte në banesën e tij, por mund të dilte nga banesa me marrjen e një leje nga shërbimi i provës.
(A2 Televizion)