
Policia e Shtetit ka goditur një rast të përhapjes së materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur, duke vënë në pranga një 29 vjeçar në Tiranë. Arrestimi i tij u krye në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Pornografia me të mitur”.
Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit policor ndërkombëtar të koduar “STREAM”, që synon luftimin e shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet. Në këtë operacion morën pjesë agjenci ligjzbatuese nga 35 shtete, nën drejtimin e Policisë Kriminale Shtetërore të Bavarisë dhe Zyrës Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), me mbështetjen e EUROPOL-it.
Pas informacioneve të siguruara nga autoritetet gjermane dhe EUROPOL-i, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale kreu veprimet hetimore që çuan në identifikimin dhe arrestimin e 29-vjeçarit.
Policia e Shtetit thekson se mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi në internet mbetet prioritet dhe u bën thirrje qytetarëve, prindërve dhe të rinjve që të raportojnë çdo rast të dyshuar të shpërndarjes, prodhimit apo konsumimit të materialeve pornografike me të mitur, si dhe çdo formë tjetër abuzimi seksual online në kanalet zyrtare të komunikimit të Policisë së Shtetit: Email: [email protected], Telefon: +355 69 415 5552, Portali online: https://asp.gov.al/denonco-krimin-kompjuterik/.
Policia e Shtetit garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm për çdo sinjalizim që lidhet me abuzimin apo shfrytëzimin e të miturve në internet.
(A2 Televizion)
