Seanca e radhës e padisë së bërë nga Erion Veliaj ndaj prokurorit Olsi Dado nisi në mënyrë jo të zakonshme. Artisti i Popullit, Robert Ndrenika dhe aktori i humorit Gazmend Paja, u shfaqën në sallën e gjyqit për të mbështetur Veliajn, shkruan A2CNN.
Ndonëse me vështirësi në ecje, Ndrenika shkoi përtej mbështetjes morale ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Pas këtij episodi, seanca nisi me përplasjen e parë mes Veliajt dhe gjykatës, për shkak të refuzimit të transmetimit të drejtpërdrejtë të këtij gjyqi. Veliajt dhe mbrojtjes së tij iu lejua fjala vetëm për çështjen, në të cilën është paditur Presidenca, KLP dhe prokurori Olsi Dado, pasi ky i fundit i është propozuar Presidencës në vitin 2008, kohë kur kreu i shtetit ishte Bamir Topi, nga Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama.
Sipas Veliajt, nuk plotësonte kushtet ligjore, pasi ishte vetëm noter dhe pa kryer Shkollën e Magjistraturës.
Debatet në seancë janë zhvilluar kryesisht mes Veliajt dhe mbrojtësit të tij me përfaqësuesen e KLP-së, lidhur me prapësimet e depozituara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, deklaroi për mediat se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është mbledhur asnjëherë për çështjen që lidhet me prokurorin Olsi Dado, duke pretenduar se mungon një vendim kolegjial për këtë rast.
Në përfundim, gjykata është shprehur se, duke qenë se KLP në këtë seancë si palë e paditur solli prapësimet e reja dhe pala paditëse kërkoi kohë të njihet me provat, seanca do të shtyhet për në datën 19 qershor, në orën 14:00. (A2 Televizion)