Pasi u vetëplagos aksidentalisht, 40-vjeçari inskenon atentat ndaj vetes! Arrestohet nga Policia e Tiranës

Nga A2 CNN
27 Maj 2025, 13:57 | Kronikë

Pasi u vetëplagos aksidentalisht, 40-vjeçari inskenon atentat ndaj

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Marikaj në kryeqytet.

Sipas burimeve për A2 CNN, bëhet me dije se një 40-vjeçar u vetëplagos aksidentalisht me armë zjarri në banesë dhe më pas ka shtënë disa herë për të inskenuar një atentat ndaj tij.

Pas hetimeve intensive, policia zbuloi manipulimin dhe arrestoi autorin. Po ashtu sipas Policisë, në pranga ra edhe një person tjetër për moskallëzim krimi.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, shkruan A2 CNN.

Njoftimi i Policisë:

DVP Tiranë-Dokumentohen rrethanat e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e djeshëm, në fshatin Marikaj.  

U vetëplagos aksidentalisht në banesë, me armën e zjarrit që e posedonte pa leje, dhe më pas shtiu disa herë, që të inskenonte një atentat ndaj tij, vihet në pranga 40-vjeçari. 

I arrestuari, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për krime kundër pronës.  

Vihet në pranga dhe një 43-vjeçar, për moskallëzim krimi.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Vorë, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të plagosjes me armë zjarri të një shtetasi, i cili ishte paraqitur në spital, për ndihmë mjekësore, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve për rastin, u arrestuan shtetasit:

E. A.(M.), 40 vjeç (shtetasi i dëmtuar) dhe S. K., 43 vjeç, të dy banues në fshatin Marikaj.

Nga hetimet dyshohet se 40-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht, në banesë, me një armë zjarri, të cilën e posedonte pa leje dhe më pas ka shtënë disa herë, që të inskenonte një atentat ndaj tij. Për të penguar zbulimin e së vërtetës, ky shtetas ka hequr DVR-në e një kamere të sigurisë pranë banesës së tij.

Shtetasi S. K. e ka transportuar 40-vjeçarin në spital dhe gjatë veprimeve procedurale nga Policia, nuk ka kallëzuar për rrethanat e ngjarjes. 

40-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Arma e zjarrit u gjet në banesën e këtij shtetasi dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos