Pasuritë e vëllezërve Çopja, SPAK sekuestron 10 milion USD kriptovalutë, toka e vila

Nga Armand Bajrami
22 Janar 2025, 18:23 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka mundur t’i bllokojë një pasuri prej 10 milionë dollarësh amerikanë në kriptovalutë vëllezërve Franc e Hajdar Çopja. Sekuestrimi i vlerës shton në vlerë dhe në numër pasuritë e shumta të sekuestruara për llogari të hetimit ndaj dy vëllezërve të akuzuar nga SPAK si drejtues të një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtare të drogës dhe krimeve të tjera të rënda në Shqipëri.

Struktura e Posaçme njoftoi për ekzekutimin e vendimit të gjykatës për sekuestrimin e milionave të kriptovalutës u koordinuan veprimet me EUROPOL, policinë federale të Belgjikës, atë të Holandës dhe Spanjës.

Për gjetjen dhe sekuestrimin e monedhës virtuale u bashkëpunua ngushtë me një kompani globale të njohur në menaxhimin e kriptovalutës “stablecoin” dhe një exchange të njohur në rang botëror, që menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash.

Bazuar në vendime të mëparshme gjyqësore, SPAK ka ngrirë edhe 4 llogari bankare, gati 130 mijë euro në total, si edhe shuma parash cash në gati 1 milion euro. Ndonëse të regjistruara në emra personash të tjerë, por të dyshuara si të zotëruara nga vëllezërit Çopja, SPAK ka sekuestruar 4 vila në Tiranë bashkë me truallin rrethues, 1 hotel në kryeqytet, 14 sipërfaqe trualli në Kavajë, Vlorë dhe Elbasan, 4 garazhe, 5 njësi shërbimi, 3 apartamente, një nga të cilët dublex, si edhe një shoqëri tregtare bashkë me llogaritë e saj bankare.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të firmosur masa sigurie ndaj vëllezërve Çopja dhe 31 personave të tjerë në fund të korrikut të vitit të shkuar. Vetëm 13 nga masat u ekzekutuan. Me herët, Franc Çopja ishte ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara në Belgjikë, ndërsa vëllai i tij, Hajdar Çopja, vijon të jetë në kërkim.

Pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani dhe të dhënave nga aplikacioni SKY të vëna në dispozicion nga Belgjika, SPAK ngriti dyshime për përfshirjen e tyre në 26 ngjarje kriminale, mes të cilave “masakra e Bradasheshit” me 3 të vrarë, dhjetorin e vitit 2018. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos