Përfituan mbi 500.000 euro me fatura fiktive, pezullohen nga detyra 17 punonjës policie në Korçë

Nga A2 CNN
4 Korrik 2024, 14:44 | Kronikë

Përfituan mbi 500.000 euro me fatura fiktive, pezullohen nga detyra 17

Shtatëmbëdhjetë punonjës të policisë në Korçë janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen të kenë përfituar mbi 500.000 euro me fatura fiktive në kuadër të operacionit FRONTEX. 

Siç bëhet e ditur, efektivët e policisë u pezulluan nga detyra me akuzën për "Shpërdorim detyre" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". 

19 persona, 17 prej të cilëve punonjës të policisë së shtetit, dy prej tyre në sektorin e financës në stacionin e Policisë Kufitare në Kapshticë. Ndërkohë që dy të tjerë, përfaqësues të subjekteve tregtare janë nën hetim për Veprën Penale ‘Falsifikimi i dokumenteve."

Sipas Prokurorisë së Korçës, rezultoi se punonjësit e policisë të cilët shoqëronin në kuadër të sigurimit të kufijve të gjelbër punonjësit e policisë të vendeve të tjera (FRONTEX), kanë kryer falsifikim të faturave tatimore për fjetje në hotel dhe ushqim.

Nga hetimet rezultoi se për shkak të mungesës së dokumentacionit të duhur, punonjës të caktuar me shërbim në kuadër të operacionit FRONTEX, janë rimbursuar padrejtësisht në shumën 574,320 euro, prej të cilave 452,480 euro për punonjës të strukturave të tjera të caktuar me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe 121,280 euro për punonjës të DVKM Korçë.

Nëpërmjet faturave fiktive, të ndihmuar dhe nga subjektet tregtare, këta punonjës kanë përfituar edhe pse shumica prej tyre të komanduar me shërbim në FRONTEX, janë të akomoduar në shtëpi me qira të cilët nuk e kalojnë vlerën e 200 Euro në muaj për 3-4 persona të akomoduar ose vendbanimin e kishin në Bashkinë Devoll.

Përpos pezullimit të efektivëve, për dy përfaqësues të subjeketeve private të përfshira, janë dhënë masat e sigurimit,  “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” si të dyshuar për veprën penale “Falsfikimi i dokumentave”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos