Përplasi për vdekje 7-vjeçarin pranë shkollës, arrestohet Petri Bozo. Regjisori: Nuk e pashë fëmijën!

Nga Igli Çelmeta
26 Maj 2026, 15:10 | Kronikë

Përplasi për vdekje 7-vjeçarin pranë shkollës,

Pas aksidentit tragjik ku përplasi për vdekje 7-vjeçarin në afërsi të shkollës në fshatin Mengël, policia e Elbasanit ka arrestuar regjisorin Petri Bozo. Policia e akuzon Bozon për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe shkaktim aksidenti me pasojë vdekjen e të miturit.

Bozos i është bërë edhe testi i alkoolit nga policia, por ka rezultuar që nuk kishte konsumuar alkool. Në dëshminë e tij para hetuesve Bozo ka thënë se fillimisht nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte goditur, dhe pas përplasjes kishte tentuar të devijonte automjetin.

“Kam qenë me shpejtësi të ulët për shkak të kufizuesit të shpejtësisë, ‘policit të shtrirë’ në rrugë. Më pas kam goditur një objekt. Nuk e kam parë çfarë ka qenë, kam tentuar të devijoj kur ndjeva përplasjen. Kur kam dalë kam parë fëmijën”, është shprehur ai.

Por autoritetet pas ekspertizës nga grupi hetimor dyshojnë se 61-vjeçari ka qenë duke lëvizur me shpejtësi. Burime për A2 CNN nga grupi hetimor bënë me dije se Bozo ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara në rrugën ku po kalonte, ku kishte edhe viza të bardha dhe "policë të shtrirë" pasi ishte pranë një shkolle dhe 61-vjeçari duhet të ulte ndjeshëm shpejtësinë e lëvizjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në mëngjes ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e vendosur buzë aksit nacional “Elbasan–Librazhd”. I mituri kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën e tyre, ndërsa vetë zhvillonte mësimin pasdite në të njëjtën shkollë.

Sipas dëshmitarëve, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani. Në ato momente, dyshohet se 7-vjeçari i është shkëputur nga dora së ëmës dhe është përplasur nga automjeti që drejtohej nga regjisori Bozo. Mes lotëve e dhimbjes, këtë të martë familjarët i dhanë lamtumirën 7-vjeçarit i cili u përcoll në banesën e fundit në fshatin Mengël. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos