“Përplasja” me Irena Gjokën, Argita Malltezi jep shpjegime në SPAK. E quan “muze turpi”

Nga Armand Bajrami
9 Janar 2025, 18:16 | Kronikë

Mëngjesin e së enjtes, Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, iu përgjigj pozitivisht një fletë-thirrjeje të Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Arsyeja e thirrjes nuk kishte lidhje me hetimet që kjo strukturë zhvilloi ndaj babait, apo edhe bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi, të dy të pandehur në dosjen “Partizani”.

Në më pak se 30 minuta, Malltezi dha shpjegime si person në dijeni, për një kallëzim të bërë kundër saj nga gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka, e njëjta që më herët ka firmosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Berisha e “arrest në burg” për Jamarbër Malltezin, shkruan A2.

Në kallëzimin e depozituar tre muaj më parë, Gjoka kërkon hetimin e Argita Malltezit për shkak të disa deklaratave publike ku lidh emrin e saj me një shumë prej 500 mijë euro të kërkuar nga një eksponent i Partisë Socialiste për një favor gjyqësor.

Jashtë SPAK, Malltezi tha se ajo kishte ngritur vetëm pyetje në lidhje me këtë çështje. 

“Unë i jam referuar shkrimeve që ekzistonin në media prej gushtit 2024. Çfarë bëra unë? Unë pyeta, a ekziston një video e tillë? A e disponon SPAK një video që e ka gjetur rastësisht gjatë kontrollit të banesës së një gazetari të larguar nga Shqipëria”, deklaroi Argita, e cila foli për një standard jo të njëjtë të SPAK, që, sipas saj, ka regjistruar kallëzimin e gjyqtares Gjoka, por jo kallëzimet e bëra nga ajo dhe bashkëshorti.

Ndërsa ricaktimin e masës “detyrim për paraqitje” ndaj babait të saj nga Apeli i Posaçëm, Malltezi e komentoi si një vendim primitiv dhe hakmarrje politike.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos