Përshtatën banesat për kultivim kanabisi, në pranga 46-vjeçari në Vaun e Dejës

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2026, 09:51 | Kronikë

Përshtatën banesat për kultivim kanabisi, në pranga

Policia në Vaun e Dejës ka arrestuar 46-vjeçarin Gjergj Goli, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.

Ai akuzohet si bashkëpunëtor në përshtatjen e 2 banesave për kultivimin e bimëve narkotike me llamba në fshatin Barbullush, raporton A2 CNN.  

Nga këto 2 ambiente, disa javë më parë u sekuestruan 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kg kanabis dhe 307 pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos