Një plagosje është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në lagjen “Mark Lula”. Babë e bir janë qëlluar me thikë nga një shtetas i cili është vënë në prangat e policisë së Shkodrës. Burimet bëjnë me dije se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Të plagosur kanë mbetur Sh. L., 52 vjeç dhe E. L., 19 vjeç (babë e bir), të cilët u dërguan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Autori është identifikuar si A. M., 26 vjeç, banues në Shkodër. Ai është shoqëruar në Komisariatin e Policisë ku po merret në pyetje.
“Rreth orës 20:40, në lagjen “Mark Lula”, Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta janë dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasit Sh. L., 52 vjeç dhe E. L., 19 vjeç (babë e bir), të cilët u dërguan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, i autorit të dyshuar, shtetasit A. M., 26 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar mjetin prerës (thikë) që dyshohet se është përdorur nga ky shtetas, gjatë konfliktit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton Policia. (A2 Televizion)