Prokuroria e Posaçme këmbëngul se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, kanë shpërdoruar detyrën gjatë kontratës koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, akuzë për të cilën ata fituan pafajësi në Gjykatën e Posaçme.
SPAK ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të tetorit 2023, duke kërkuar prishjen e vendimit dhe dënim me burg të Kokës e Bllakos edhe për këtë akuzë.
Ndonëse morën pafajësi dy ish-zyrtarët nuk i shpëtuan dot qelive të burgut. Kjo për faktin se Koka u dënua me 5 vjet e 8 muaj burg për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, ndërsa ish-deputeti Bllako ishte dënuar ndërkohë me burg për llogari të inceneratorit të Fierit.
Në ankimin e depozituar në Apel, SPAK kërkon dënimin me 10 vite burg për Kokën dhe 4 vjet për Bllako, njëjtë sa kërkoi për ta në fund të gjykimit në Shkallën e Parë.
Sipas hetimit SPAK, ish-ministri Koka ka marrë gati 3 mln euro ryshfet për të favorizuar kompaninë koncesionare, si edhe ka pastruar para, duke krijuar një skemë fiktive për kryerjen e punimeve, duke përdorur disa shoqëri tregtare që kontrolloheshin në mënyrë të tërthortë prej tij apo njerëzve të afërt.
Për të pandehurit e inceneratorit të Elbasanit, mes të cilëve edhe biznesmenët Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja, Gjykata e Posaçme dha një total prej 33 vitesh burg. (A2 Televizion)