“Plumbi i artë 2”, SPAK zbardh 6 krime, masa sigurie edhe për gjyqtarë e zyrtarë policie

Nga Armand Bajrami
31 Korrik 2024, 23:14 | Kronikë

Prokuroria e Posaçme SPAK, bindi gjykatën të lëshojë më shumë se 30 urdhër-arreste, për persona që dyshohet të jenë të përfshirë në role të caktuara në të paktën gjashtë ngjarje të rënda kriminale në vend.

Operacioni i zhvilluar gjatë së mërkurës është një vijim i “Plumbit të artë”, i ndërmarrë dy vite më parë pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Këtë herë, në ndihmë të hetuesve të SPAK kanë ardhur edhe dhjetëra biseda të përgjuara nga komunikimet e platformës SKY ECC, të vëna në dispozicion nga autoritetet belge të drejtësisë, që kanë zbuluar autorë e bashkëpunëtorë të krimeve.

Masa e sigurisë, pjesa me e madhe e të cilave “arrest në burg”, janë lëshuar për personazhe të njohur të botës së krimit, mes të cilëve Talo Çela e anëtarë të familjes Çopja.

Nën masa më të buta sigurie për dyshimet të “shpërdorimit të detyrës”, kanë përfunduar edhe gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahiu, zv.drejtori i burgut të Elbasanit, Martin Musaj dhe Agustin Cinari, zyrtar i Policisë së Durrësit.

Për disa nga të dyshuarit, si Elio Bitri e Altin Ndoci, masa iu është komunikuar në qeli, ku qëndrojnë për ngjarje të tjera kriminale.

Burime jozyrtare pranë SPAK, bënë me dije se mes ngjarjeve të dokumentuara janë vrasja e trefishtë në Bradashesh, ndodhur dhjetorin e vitit 2018, si edhe vrasja e Andi Zylyfit e Klevi Bahos në dy ngjarje të ndryshme në vitin pasardhës.

Policia e Shtetit dhe SPAK nuk njoftuan zyrtarisht numrin e masave të ekzekutuara, ndërsa mësohet se disa nga të dyshuarit janë jashtë vendit, përfshi Dubain. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos