
Policia e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar i ka dërguar dy letra mirënjohjeje Policisë shqiptare, për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë dy rasteve të fundit të bashkëpunimit.
Bëhet fjalë për një arrestim, të shtetasit të akuzuar për vrasje, A. Sh., në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 81”, të zhvilluar në Tiranë, nuk do të kishte qenë i mundur pa bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të kolegëve tanë në Policinë e Shtetit shqiptar, konkretisht të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh”.
Gjithashtu për ekspertizën e lartë në fushën e analizimit të ADN-së, dhënë nga Instituti i Policisë Shkencore i Policisë së Shtetit shqiptar, që ka kontribuar në finalizimin me sukses të operacionit policor “Boomerang”, gjatë të cilit u bë i mundur identifikimi i shtetasit G. U., 29 vjeç, banues në Kurbin, i dyshuar për përfshirjen në 33 raste vjedhjesh, të ndodhura në zona të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë viteve 2023–2025.

Identifikimi i autorit u realizua falë analizës së të dhënave në databazën “CODIS” të Institutit të Policisë Shkencore, që kontribuoi në përputhjen familjare (Familiar Match) të ADN-së së të dyshuarit me origjinë shqiptare.
Analiza e të dhënave të siguruara përmes ADN-së ka qenë kyçe për dokumentimin ligjor të veprimtarisë së këtij shtetasi, në Mbretërinë e Bashkuar.
Më tej, në letrat e mirënjohjes, përfaqësuesit e Policisë së Kentit kanë shprehur: “Dëshirojmë t’ju shprehim mirënjohjen dhe falënderimet tona më të sinqerta. Është kënaqësi e madhe të dimë se bashkëpunojmë në mënyrë kaq efektive me kolegët e Policisë Shqiptare për të ndihmuar në parandalimin dhe zbulimin e krimeve që shkaktojnë dëm të madh në komunitetet tona”. (A2 Televizion)