Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Fatjon Muratit, i cili është shpallur në kërkim pasi akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Organi i akuzës po ashtu njofton se janë sekuestruar katër pasuri të Muratit. Ato përfshijnë një objekt 6 katësh me sipërfaqe 317 m2, në rrugën Albanopoli të kryeqytetit, pronë e cila është regjistruar në emër të nënës së tij. Po ashtu janë sekuestrua tre automjete, një tip “Citroen”, një “Mercedez Benz” dhe një “Daimler”, shkruan A2.
Tre automjetet kanë qenë të regjistruar në emër të vetë Muratit dhe vëllezërve, por sipas Prokurorisë nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin, shtetasin F.M. për veprën penale të ‘Pastrim të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale’ parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal. Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për procedimin penal nr.2600/2018, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona”, thuhet në njoftim.
Më tej, organi i akuzës sqaron se nga hetimet paraprake rezulton e provuar se ka të dhëna të mjaftueshme që të krijojnë bindjen se Fatjon Murati ka konsumuar plotësisht elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 287/a i K.Penal, raporton A2.
“Shtetasi F.M. në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë, vepronin si pjesë e një organizate kriminale, të arrestuar nga policia italiane, fillimisht me tendencë vjedhje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal, duke përfshirë edhe trafikimin e lëndëve narkotike. Shtetasi F.M. është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’”, bën me dije Prokuroria.
Fatjon Murati është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi emri i tij u përfol pas masakrës në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë tre Brilant Martinaj (nipi i Ervis Martinajt), Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.
Pas ngjarjes, Murati ishte një nga personazhet që Prokuroria e Kurbinit kërkoi për të marrë në pyetje.
Fatjon Murati është shpallur në kërkim prej datës 12 mars 2023, ditë kur në Don Bosko u regjistrua një atentat, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë në drejtim të lokalit në pronësi të tij dhe për pasojë humbi jetën 58-vjeçarja Mimoza Paja, e punësuar në këtë biznes. (A2 Televizion)