
Në seancën e radhës të dosjes "Sterilizimi", ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, komentoi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Endri Shabani, që është edhe kallëzues i tij në SPAK.
"Ai që duhet të jetë zëri i qytetarit përballë pushtetit, del në rreshtin e akuzës. Ai që duhet të jetë garanci kundër arbitraritetit, shfaqet si pjesë e mekanizmit që e ushqen atë. Sipas deklarimeve të tij publike, ai është shprehur se është i lumtur që unë jam në pranga, edhe pse kjo nuk lidhet me kallëzimin e tij. Sipas po këtyre deklarimeve publike, ai ka qenë në dijeni se i njëjti fakt penal ishte hetuar më parë dhe hetimi ishte pushuar; megjithatë, ai bëri sërish kallëzim, pa asnjë provë të re.
Ky nuk është “qëndrim”. Kjo është kulturë prangash. Ky nuk është “interes publik”. Ky është interes për personin, jo për faktin. Ky person, po ashtu, kërkoi shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe ajo kërkesë u rrëzua si antikushtetuese.
Dhe kur një njeri që duhet të ruajë standardin e të drejtave të njeriut e ul publikisht këtë standard, atëherë problemi nuk është thjesht një çështje penale. Është një problem i demokracisë.
Pra, një individ që ka tituj akademikë juridikë dhe formim në institucione të njohura, por që, në vlerësimin tim, shfaq publikisht mospërfillje për parimin e gjësë së gjykuar dhe për prezumimin e pafajësisë, sot mban postin që duhet të mbrojë të drejtat e njerëzve", citohet të ketë thënë Beqja.
"Kjo është ironia më e hidhur e këtij vendi: posti i mbrojtjes së qytetarit përdoret si podium politik, ndërsa qytetari mbetet pa mjetet minimale për t’u mbrojtur në gjykatë.
Unë vetë mezi pres ditën kur ta kem përballë në gjykatë. Jo për spektakël, por sepse aty, përballë fakteve dhe ligjit, retorika bie dhe mbetet vetëm e vërteta.
Për mua, që vij nga politika, nuk përbën asnjë çudi që Grupi Parlamentar i PS-së të votojë për një post të lartë kushtetues një kundërshtar politik dhe një person që ka kallëzuar penalisht projekte dhe kontrata të qeverisë së PS-së. Historia politike e Shqipërisë, nga viti 1912 e deri më sot, ka parë edhe më shumë. Historia botërore, nga Roma e lashtë e deri më sot, ka parë edhe më shumë se kaq.
Ajo që më habiti nuk ishte vota. Ishte puthja. Jo puthja e zakonshme njerëzore, por puthja me dorë, nga larg. Deputetë që kanë katër muaj në Parlament dhe deputetë që kanë aty 20 vjet, të gjithë njësoj u ndezën nga puthja. Pasuan duartrokitje ngazëlluese, të sinkronizuara, me një intensitet sikur të ishte miratuar ndonjë ligj i rëndësishëm. Ose ndoshta këta 18 muaj paskam humbur unë sensin e realitetit".
Me herët, Beqaj i kërkoi gjykatës që IEVP Durrës t'i krijojë kushtet për të dëgjuar CD-të me audiot e seancave. Seanca e radhës më 15 janar. (A2 Televizion)