Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Ish-ministrja e Mbrojtjes është parë të mbërrijë e vetme në Strukturën e Posaçme, pa avokatë, çka tregon se ajo është thirrur si person në dijeni për të dhënë deklarime për një hetim për të cilin ka dijeni.
Deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar mbi arsyen apo mbi hetimin konkret për të cilin zonja Xhaçka është thirrur, shkruan A2 CNN.
Kjo nuk është hera e parë që zonja Xhaçka hyn në SPAK. Gati një vit më parë, ajo ka dhënë shpjegime për dy kallëzime për tjetërsimin e pronave të ushtrisë, të bëra nga ish-gjenerali Artur Meçollari, që ngrinin dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Konkretisht bëhej fjalë për gjirin detar të Limionit në Sarandë dhe një sipërfaqe trualli në bazën detare të Shëngjinit. Në një nga këto kallëzime, i kallëzuar ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Të dyja dosjet vijojnë të jenë të hapura dhe nën hetim. (A2 Televizion)