Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, ku një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas Policisë së Durrësit, ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të datës 3 gusht 2025. Viktima, shtetasi L. Sh., 35 vjeç, ishte në lëvizje me automjetin e tij kur u përfshi fillimisht në një debat verbal me dy drejtues të tjerë mjeti, dyshohet për shkak të një parakalimi të pakujdesshëm, shkruan A2 CNN.
Pas konfliktit, dy vëllezër nga fshati Xhafzotaj, të identifikuar si E. D., 46 vjeç dhe E. D., 40 vjeç, kanë nxjerrë armën dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit të 35-vjeçarit, duke e plagosur atë. I dëmtuari është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka identifikuar autorët dhe ka shpallur në kërkim vëllezërit e dyshuar. (A2 Televizion)