Qirinj dhe lule si shenjtë ngushëllimi e homazhi për dy adoleshentët, që humbën jetën një ditë më parë në një aksident në zonën e Pusit të Mezinit në Vlorë. Aksidenti tragjik ka tronditur qytetin e Vlorës. Miq, të afërm dhe qytetarë kanë vendosur qirinj dhe lule në vendin e aksidentit. Ata e konsiderojnë një ngjarje të dhimbshme dhe një aksident tepër të rëndë.
Viktimat janë identifikuar si Luan Llanaj, 19 vjeç, dhe Tomor Mbrati, 17 vjeç.
A2 CNN raporton se dy të rinjtë po udhëtonin me motor me shpejtësi të lartë kur humbën kontrollin dhe goditën një shtyllë anës rrugës. Luani ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa Tomori u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por, për fat të keq, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. (A2 Televizion)