Kreu i SPAK, Klodjan Braho, ka raportuar përpara Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke u ndalur edhe tek ndikimi i retorikës politike ndaj institucionit.
Gjatë fjalës së tij, Braho theksoi se retorika politike në vetvete nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për SPAK-un, por paralajmëroi se ajo mund të krijojë perceptime te krimi i organizuar na raport me institucionin e drejtasisa, raporton A2CNN.
Braho theksoi se deri më tani nuk kemi nisma ligjore që mund të cenojnë pavarësinë e SPAK-ut nga ana e politikës, por nëse diçka e tillë do të ndodhë, do t’i përcillet shqetësimi KLP-së.
“Retorika politike nuk përbën në vetvete ndonjë kërcënim, është thjesht një retorikë politike. Është shqetësuese nëse kjo retorike do shënohet me një situatë të ndryshimeve ligjore që mund të cenojnë kompetencat dhe pavarësinë e institucionit. Konstatoj se nuk ka një situatë të tillë për momentin. Kemi sjellë në vëmendje faktin që retorika, ndonëse nuk është problematike në mënyrë direkte, por zgjon dhe mund të shërbejë si shkak për të rritur agresivitetin ndaj SPAK-ut nga krimi i organizuar, sepse krijohet perceptimi që institucioni është i pambrojtur. Nëse do kemi ndonjë situatë të tillë, nëse do hasemi me drafte dhe projekte ligjore, në do ta bëjmë publik zërin tonë dhe shqetësimin do t’ia përcjellim edhe KLP-së”, tha Braho. (A2 Televizion)