Monika Kryemadhi është rikthyer në sallën e gjyqit ku po vlerësohet masa e sigurisë që është dhënë ndaj saj, Ilir Metës dhe të tjerëve. Në videon e siguruar nga A2 CNN, duket në sfond edhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet pas xhamit të sigurisë.
Në një prononcim për mediat pas ndërprerjes së seancës gjatë paradites, Kryemadhi e quajti këtë veprim të Gjykatës së Posaçme një provokim, pasi masat ndaj tyre duhet të ishin vlerësuar veçmas. Ndaj saj është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa ndaj ish-presidentit ajo arrest me burg.
Përballja e parë në sallën e gjyqit mes ish-presidentit Ilir Meta dhe trupës së prokurorëve të SPAK; Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, ka rezultuar me tone të ashpra. Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, raportoi se ka pasur tone të forta kundërshtuese mbi mënyrën e arrestimit të kreut të PL-së në momentin që Meta ka hyrë në sallën e gjyqit. Por në një deklaratë për mediat, Monika Kryemadhi, pas daljes nga gjykata tha se “Meta për mua sikur i përkëdheli ata, jo sikur i kërcënoi”, shkruan A2 CNN.
Ndaj Metës dhe Kryemadhit, SPAK po heton për veprat penale të korrupsionit pasiv, fshehje të pasurisë dhe mosdeklarim të të ardhurave. Meta u arrestua të hënën, më 21 tetor, në mes të rrugës pranë zonës së quajtur “Kthesa e Kamzës”, teksa po kthehej nga Kosova. Në pamjet që bënë xhiron e rrjetit, shihej teksa Meta tërhiqej me forcë nga makina, ndërsa Policia deklaroi se kishte fyer dhe kundërshtuar efektivët që realizuan operacionin. (A2 Televizion)