Gjykata e Lartë rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Festim Bexhdilit, ish-kopshtarit të kompleksit “Golden” në Shijak, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës. Një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Sokol Binaj, Albana Boksi dhe Sandër Simoni vendosi të prishë verdiktin e Apelit të Posaçëm të 20 marsit dhe ktheu çështjen për rigjykim po në Apel, por me një trup tjetër gjykues.
Festim Bexhdili është i vetmi person i arrestuar si i dyshuar për pjesëmarrje në zhdukjen e trupit të Jan Prengës. Në përfundim të gjykimit në Gjykatën e Posaçme ai u fajësua për “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit”, me pasojë vdekjen, “fshehje ose asgjësim të kufomës” dhe “grup të strukturuar kriminal”, vendim që u la në fuqi edhe në Apel.
Sipas gjykatës, i pandehuri ka marrë pjesë direkt në zhdukjen e trupit dhe ka dijeni për vendin, ndonëse nuk e ka treguar atë. Vendimi i Gjykatës së Lartë ktheu për rishqyrtim edhe çështjen ndaj të bashkëpandehurit të Bexhdilit, Olsi Turja, i dënuar me 3 vjet burg për “pengim të zbulimit të së vërtetës”.
Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz 17 janarin e vitit 2020 me porosi të Dritan Rexhepajt dhe Gentian Funiqit dhe u dërgua në kompleksin në Shijak, kamerat e sigurisë të të cilit filmuan për herë të fundit trupin e tijtë pajetë. Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës SPAK akuzon edhe 5 persona të tjerë, si edhe një të gjashtë të paidentifikuar. Asnjëri prej tyre nuk është arrestuar, ndërsa Gjykata e Posaçme ka nisur gjykimin e tyre në mungesë. (A2 Televizion)