Një sulm i organizuar me shkopinj la të plagosur rëndë një të ri mesditën e së premtes në një servis automjetesh në Korçë.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 16 të qytetit ku siç shihet nga pamjet e kamerave të sigurisë katër të rinj shkojnë në pikën e servisit dhe godasin me shkopinj 30-vjeçarin Ramadan Hasani. i riu tentoi të largohet duke u futur brenda servisit të automjeteve por agresorët arritën ta kapnin dhe ta godisnin.
Policia bëri të mundur identifikimin e autorëve ndërsa u shpallën në kërkim Spartak dhe Kristi Selima, Marsel Xhakollari dhe Erjon Guri. Sipas hetuesve dyshohet se goditja e Hasanit erdhi pasi ky i fundit kishte pasur një konflikt të mëparshëm me vëllezërit Selima në muajin shkurt.
Për ngjarjen reagoi në rrjetet sociale dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili tha se policia duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje rasteve të dhunës. “Rasti i sotëm në Korçë, apo ai i pak ditëve më parë në Fier, janë alarme që duhet ta mbajnë Policinë e Shtetit të vëmendshme dhe ndaj këtij fenomeni. Konfliktet nisin shpeshherë online dhe më pas degradojnë në dhunë fizike apo akte kriminale”, u shpreh Balla. (A2 Televizion)