
Të dhënat e siguruara nga Qendra Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (National Center for Missing & Exploited Children, NCMEC) tregojnë një rritje të ndjeshme të materialeve me përmbajtje të shfrytëzimit seksual të të miturve. Kështu gjatë vitit 2025 janë raportuar 5 707 raste, ndërsa vetëm në janar 2026 janë administruar 655 raporte.
Në Javën e Internetit të Sigurt, Policia e Shtetit apelon për prindërit, kujdestarët dhe qytetarët për rritjen e vigjilencës mbi aktivitetin online të fëmijëve.
“Të monitorojnë dhe të jenë të vëmendshëm ndaj aktivitetit online të fëmijëve të tyre; të komunikojnë hapur me ta, mbi rreziqet e internetit dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale; të përdorin mjete kontrolli dhe masa sigurie në pajisjet elektronike. Njëkohësisht, apelojmë fuqimisht që prindërit dhe çdo qytetar të ruajnë privatësinë dhe intimitetin e fëmijëve të mitur, duke mos shpërndarë apo ripostuar materiale të papërshtatshme”, apelon policia.
Këto përmbajtje identifikohen nga NCMEC, përmes teknologjive të specializuara, dhe të dhënat e poseduesve apo të shpërndarësve të tyre, i referohen Policisë së Shtetit, për ndjekje të mëtejshme ligjore.
Policia thekson se “mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, prindërve dhe komunitetit, mund të garantojmë një përdorim më të sigurt të internetit, për çdo fëmijë”. (A2 Televizion)