Samiti politik europian “paralizon” Tiranën, ja rrugët që bllokohen

Nga Xhensila Kodra
15 Maj 2025, 15:18 | Kronikë

Të premten e 16 Majit në Tiranë zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Europian. Për mbarëvajtjen e këtij eventi, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash me bllokimin e rrugëve dhe devijimin e kalimin në disa prej tyre.

Bllokimi nis që nga kjo e enjte nga ora 08:00 – 24:00, ku nuk do të lejohet lëvizja e automjeteve në intervalin kohor të lëvizjes së delegacioneve në aksin rrugor “Aeroporti “Nënë Tereza” Rinas – Hyrja tek autostrada e re “Thumanë-Kashar” – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Mbikalimi i Kasharit – Kryqëzimi tek ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Re krahu i Astirit – Kryqëzimi te “Pallati me shigjeta” – Rrethrrotullimi i Saukut të vjetër – Rruga e Elbasanit e deri tek Sheshi “Skënderbej” vend ku do të zhvillohet aktiviteti.

Po ky aks rrugor do të jetë i bllokuar edhe gjatë të premtes, nga ora 6 e 30 deri në mesditë. Në momentin e kalimit të delegacionit këto rrugë do të jenë të bllokuara në të dyja krahët.

Për automjetet kalimi për në Rinas do të bëhet nga rrugët dytësore të autostradës “Tiranë-Qafë Kashar – Rinas”, si dhe nga Unaza Veriore, degëzimi i “Paskuqan – Institut – Kamëz – Domje – Laknas.

Hyrja dhe dalja në spitalin “Shefqet Ndroqi”, tek rrethi i Sanatoriumit, do të kenë herë pas here devijime sipas orareve të delegacioneve.

Në rrugët e bllokuara nuk do të lejohen as parkimet e mjeteve, si dhe parkimi nëntokësor te sheshi “Skënderbej”.

Po më 16 Maj, në rrugët e bllokuara nga policia që lidhen me vendin e zhvillimit të aktivitetit do të ketë devijime gjatë kësaj të premteje.

Në terren do të jenë rreth 1500 punonjës policie nga të gjitha strukturat. Masa shtesë në kontrolle janë marrë edhe në dy pikat kufitare, atë të Morinës dhe të Hanit të Hotit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos