Sekuestrimi i telefonit, Ajola Xoxa e çon përballjen me SPAK në Gjykatën e Lartë

Nga Armand Bajrami
5 Shkurt 2025, 17:48 | Kronikë

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, ka bërë lëvizjen e radhës kundër vendimit gjyqësor, që lejoi SPAK për kontrollin e saj personal më 6 dhjetor 2024, ku iu sekuestrua aparati telefonik celular. Pasi dështoi të rrezonte këtë vendim në Apelin e Posaçëm, Xoxa ka “trokitur” në Gjykatën e Lartë, ku ka depozituar një rekurs kundër vendimit të Apelit. Burime pranë Gjykatës së Posaçme bën me dije se vendimit në fjalë i është bërë rekurs edhe nga vëllai i Veliajt, Arbër Veliaj, apartamente dhe biznese të të cilit u kontrolluan në zbatim të të njëjtit vendim gjyqësor. Familjarët e kryebashkiakut kërkojnë shfuqizim të vendimit të Apelit dhe kthim të sendeve të sekuestruara, me pretendimin se janë administruar nga agjentët e BKH në kundërshtim me dispozitat ligjore. 

Vendimi që çoi më pas agjentët e BKH në banesën e kryebashkiakut Veliaj, apartamente në pronësi të vëllait të tij, zyra të shoqërive tregtare apo OJF-ve të administruara nga bashkëshortja, por edhe 4 personave të tjerë u firmos më 5 dhjetor.

Kontrollet e kishin për qëllim zbulimin dhe administrimin e provave shkresore, apo pajisjeve elektronike, pas dyshimeve se anëtarë të ngushtë të familjes së kryebashkiakut Veliaj kanë marrë përfitime të paligjshme përmes shoqërive dhe individëve që kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë. Hetimi i SPAK mbi kryebashkiakun Veliaj dhe persona të afërt të tij ende nuk ka të regjistruar emra personash nën hetim.

Por ky hetim po zhvillohet për dyshime të “korrupsionit aktiv dhe pasit të të zgjedhurve vendorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”.

Pak ditë më parë Ajola Xoxa kundërshtoi në Gjykatën e Posaçme një tjetër vendim, që lejoi kontroll më 14 janar në një apartament pranë zyrave të saj në zonën e ish-bllokut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos