“Shfuqizimi i masës”, Kushtetuesja pranon të shqyrtojë padinë e Sali Berishës

Nga Armand Bajrami
18 Shtator 2024, 17:57 | Kronikë

“Dosja “Partizani” është fund e krye një krim politik i mirëfilltë, një piramidë e vërtetë mashtrimi. Ju garantoj se do të bëhet çdo përpjekje për të vendosur para ligjit të gjithë ata që i kanë lejuar vetes, një shpifje, trillim, mashtrim, për arsye politike, për shkak të krimeve në të cilat janë vetë të përzier”.

Teksa vijon të kundërshtojë publikisht prej arrestit të shtëpiak çdo pretendim të ngritur nga SPAK në akt-akuzën kundër tij, masat e sigurisë të caktuara nga tre shkallë të gjykimin ndaj Sali Berishës, do të bëhen objekt debati në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo gjykatë ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancën plenare ankimin e bërë nga ish-kryeministri, Sali Berisha, kundër masës së parë të sigurisë të caktuar ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”, raporton A2.

Në ankimin e drejtuar Kushtetueses ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme në tetor 2023, por edhe ata të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që e lanë në fuqi masën.

Në thelbin e kërkesës së ish-kryeministrit është fakti se gjykatat kanë shkelur Kushtetutën duke caktuar një masë sigurie shtrënguese ndaj tij, pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi i Republikës, për shkak të statusit të tij të deputetiti, shkruan A2.

Në Kushtetuese ankimi i Berishës do të shqyrtohet pa praninë e palëve, por vetëm mbi bazë dokumentesh.

Në të njëjtën ditë, Kushtetuesja vendosi të kalojë në seancë plenare edhe ankimin e bërë nga dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili kërkon shfuqizimin e masave të sigurisë të dhëna ndaj tij.

Prej një jave ish-kryeministri Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën e “korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë”, ndërsa dhëndri i tij, Malltezi për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos