SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të deklarojë fajtorë pesë persona të akuzuar për sigurim të kushteve për të vrarë ish-prokurorin, Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon, të njohur si Rrumi i Shijakut.
Sipas SPAK, prej gushtit 2019 ata janë angazhuar në mbajtje në mbikëqyrje të dy shënjestrave, ndjekjen e tyre, por edhe sigurimin e armëve dhe automjeteve për të realizuar vrasjen, shkruan A2.
Pas dështimit të atentatit të nëntorit 2019 pranë mbikalimit të Sukthit, ku mbetën të plagosur Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, por u vra shoferi Andi Maloku, të pandehurit, sipas SPAK, kanë siguruar kushte për vrasjen e prokurorit dhe Rrumit, si edhe Vullnet Muçës, Genci Malokut dhe Arbën Mërkurit, të njohur si Maneci.
Masa më e rëndë e dënimit, me 11 vite burg, u kërkua për Ramazan Rrajën, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 7 vjet e 4 muaj. Përveç “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, Rraja akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje” për një armë që iu gjet me vete në momentin e arrestimit dhe “shkatërrim të pronës me eksploziv”, raporton A2.
Për Genti Ndërjakun SPAK kërkoi 9 vite burg, për Bashkim Haxhinë 8 vite dhe për Julian Pjetrin e Endrit Sinanin nga 7 vjet e 6 muaj. Për të gjithë, SPAK, kërkoi të aplikohet ulja e një të tretës së masës për shkak të gjyqit të shkurtuar.
Për episodet ndaj ish-prokurorit, SPAK, ka të pandehur edhe Plaurent Derivshin, i transferuar nga Dubai në Shqipëri një muaj më parë, që po gjykohet i veçuar, përcjell A2.
Përveç provave të mbledhura në vendngjarje apo gjatë hetimit, SPAK ka në këtë dosje qindra komunikime në platformën SkyECC mes të pandehurve. Prokurori Adand Xholi i tha gjykatës se për disa nga aktet e dosjes janë sekrete dhe për to ka vendim për mospublikim, për shkak se i shërbejnë hetimeve të tjera që janë në zhvillim e sipër. (A2 Televizion)