
Grupi "Shigjetat" në Policinë e Tiranës ka zhvilluar dy operacione për lëndët narkotike gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të ditës së sotme.
A2 CNN raporton se një sasi e konsiderueshme lënde e dyshuar narkotike është sekuestruar mbrëmjen e 25 prillit, pranë rrugës “Jordan Misja”, në afërsi të shinave dhe një lavazhi.
Sipas burimeve, rreth orës 23:55, gjatë patrullimit në zonë, shërbimi i "Shigjetave" kanë konstatuar dy persona që shfaqën lëvizje të dyshimta sapo vunë re prezencën e uniformave blu. Pas verifikimit, ndaj tyre nuk u gjetën sende të kundërligjshme.
Megjithatë, gjatë kontrollit të territorit përreth, në anën tjetër të rrugës dhe mbi një mur rrethues, u zbuluan disa qese të mëdha farmaceutike që përmbanin doza të vogla me pluhur të bardhë, i dyshuar si kokainë. Po në të njëjtën zonë, në një pjesë betoni të mbuluar me shkurre, u gjet një tjetër qese me përmbajtje të ngjashme, si dhe një kuti plastike e vogël me lëndë të dyshuar narkotike.

Gjithashtu, në pjesën poshtë murit rrethues, u sekuestruan edhe tetë qese farmaceutike me lëndë të dyshuar si kanabis.
Ndërkohë në operacionin tjetër nga "Shigjetat" janë shoqëruar në polici nëntë persona në orët e para të mëngjesit të 26 prillit, pas një ndërhyrjeje në rrugën e Dibrës.
Sipas burimeve për A2 CNN, rreth orës 02:30, gjatë patrullimit në zonë, efektivët e "Shigjetave" kanë konstatuar një person që, sapo pa prezencën e tyre, u largua me vrap dhe u fut në një ndërtesë të braktisur. Policia i është vënë në ndjekje dhe, pas hyrjes në objekt, ka gjetur në brendësi nëntë persona të tjerë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tyre nuk janë konstatuar sende të kundërligjshme. Megjithatë, në tavolinën ku ata ndodheshin është gjetur një qese farmaceutike me 15 doza të një lënde të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Në këto kushte, të gjithë personat janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa materialet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. (A2 Televizion)