
Një 32-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kavajës, pasi u kap teksa lëvizte i armatosur në lagjen dy të këtij qyteti, shkruan A2 CNN. Sipas policisë i riu u lokalizua dhe u kap teksa lëvizte në këmbë.
Gjatë kontrollit atij iu gjet dhe sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e posedonte pa leje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës, në bashkëpunim me Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fast”. Si rezultat i operacionit, në lagjen nr. 2, Kavajë, u lokalizua dhe u kap shtetasi F. Rr., i cili lëvizte në këmbë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e posedonte pa leje”, njofton policia, përcjell A2 CNN.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Rr., 32 vjeç, banues në Kavajë. (A2 Televizion)