
Pesë persona, mes të cilëve dy shtetas italianë, janë arrestuar nga Policia e Vlorës në operacionin “West”, ku është goditur shpërndarja e lëndëve narkotike.
“Blutë” kanë sekuestruar 700 doza të lëndëve narkotike të llojeve "Tusi", "Ketaminë", "MDMA", "Kokainë", "Ekstazi" dhe "Kanabis".
Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas i shisnin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me disa shtetas që transportonin lëndë të ndryshme narkotike me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Vlorës, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, me mbështetjen e shërbimeve operacionale të DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "WEST". Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. K., 20 vjeç, banues në Lezhë; R. H., 20 vjeç, banues në Lezhë; M. M., 23 vjeç, banues në Lezhë; C. L., 42 vjeç, banues në Romë, Itali, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo, Itali”, thuhet në njoftim.
“Këta shtetas u konstatuan në zonën e Zvërnecit dhe, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit që përdornin, si dhe të banesës ku qëndronin, në lagjen "Uji i Ftohtë", Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 8 aparate celularë”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim.
(A2 Televizion)