Shiste kokainë dhe hashash, AMP arreston efektivin e policisë në Fier

Nga A2 CNN
25 Maj 2024, 12:21 | Kronikë

Shiste kokainë dhe hashash, AMP arreston efektivin e policisë në

Një tjetër efektiv policie, i implikuar në shpërndarjen e lëndëve narkotike, ka rënë në “rrjetën” e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Agjentët e AMP mbrëmjen e djeshme kanë vënë në pranga të riun Lorenc Gropa, me detyrë “Trup Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit ‘Fier I’”.

Efektivi i policisë akuzohet se është pjesë e një grupi kriminal që kishin përqendruar aktivitetin e tyre në prodhimin e dhe shitjen e lëndëve narkotike, aktivitet që kryhej në ambientin e një bar-kafeje, në Patos.

Së bashku me Gropën janë vënë në pranga edhe 3 persona të tjerë, ndërsa dy shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Nga kontrolli i banesës së punonjësit të policisë u sekuestrua një qese me kokainë, me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë.

NJOFTIMI I AMP (Rajoni Fier-Berat):

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat), në kuadër të hetimit proaktiv me metoda speciale, finalizoi operacionin për goditjen e një grupi kriminal në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, duke arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë L.G., me detyrë Trup Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Fier, si dhe shtetasit K.G. dhe L.G., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, veprimtari të cilën dyshohet se e kryenin në ambientet e një bar kafe, në Patos.

Nga kontrolli i banesës së punonjësit të policisë L.G. u sekuestruan në cilësinë e provave materiale një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë.

Nga veprimet hetimore progresive në vijimësi si deklarimet dhe këqyrja e telefonave, u dokumentua implikimi në trafikun e armëve në shtetin grek të shtetasit S.L., i cili u arrestua për “Trafikim i armëve dhe municioneve”, pasi ai negocionte me shtetas të tjerë në lidhje me këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasi B.F., i dyshuar për “Organizim i lojërave të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e ambjenteve për lojëra të palejuara”, si dhe shtetasi M.G., i dyshuar për “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos