Një 67-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Fier, pasi akuzohet se nëpërmjet mashtrimit ka shitur dy herë një apartament.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, pas denoncimit të bërë nga shtetasi I. B., 45 vjeç, banues në Fier, se në apartamentin që kishte blerë në vitin 2016 nga shtetasi Nj. V., jetonin disa shtetas të tjerë, bënë verifikimet e rastit ku rezultoi se shtetasi Nj. V., në vitin 2024 po këtë apartament, ja kishte shitur shtetasit M. D., 32 vjeç.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasit Nj. V., 67 vjeç, banues në Fier, për veprën penale "Mashtrimi".
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. (A2 Televizion)