Mëngjesin e së mërkurës, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, mbërriti në Gjykatën e Posaçme për t’u pyetur si dëshmitar i thirrur nga SPAK në gjyqin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Për rastësi, Shkëlzen Berisha dëshmoi para gjyqtares së çështjes “Gërdeci”, Irena Gjoka, e njëjta që ka në dorë “fatin” e izolimit ose jo në shtëpi të babait të tij dhe para prokurorit Arben Kraja, një nga prokurorët që ka kërkuar mbylljen në shtëpi të ish-kryeministrit.
Nga tavolina e dëshmitarit, Shkëlzen Berisha tha se nuk kishte asnjë lidhje me një faks të mbërritur në Ministrinë e Mbrojtjes me shënimin me shkrim dore “për z. Shkëlzen Berisha”.
Në sallën e gjyqit ai tha se kishte marrëdhënie miqësore me ish-ministrat Fatmir Mediu e Aldo Bumçi prej angazhimit të tyre politik, por se asnjëherë nuk kishte folur me ta për çështje të funksionit të tyre.
Kërkesën e SPAK-ut për izolimin në shtëpi të babait të tij, Shkëlzen Berisha e konsideroi si përdorim të prokurorisë nga politika.
Në të njëjtën seancë u paraqitën për të dëshmuar dëshmitarët Jorgo Mino e Ndue Marku, ish-të pandehur në dosjen e parë “Gërdeci”, të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre për të mos dhënë dëshmi. (A2 Televizion)