
A2 CNN ka zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Fëmijët ishin duke qëndruar në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, i cili ka qenë në gjendje të dehur, humbi kontrollin e makinës duke i marrë përpara.
Pas këtij momenti, 57-vjeçari, pasi ka parë që ka pasur viktima, ka dalë prej mjetit “Benz”, duke e braktisur makinën dhe duke ikur në mes të lagjes me vrap, duke mos u dhënë të miturve ndihmën e parë.
Autori i ngjarjes është arrestuar nga policia, ndërkohë që vijojnë hetimet në lidhje me aksidentin.
"Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit", thuhet në njoftimin e policisë.

(A2 Televizion)