Një 28-vjeçar në Tiranë është vënë në pranga nga policia, pasi falë metodave speciale të hetimit është zbuluar se ka shpërndarë pamje sensitive në formë videoje me përmbajtje pornografike me të mitur në rrjete të ndryshme sociale.
“Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një pune intensive, në funksion të hetimeve të një procedimi penal, i cili ndiqej me metoda speciale të hetimit, pas analizës të interceptimeve të impulseve dhe qelizave elektronike, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit: E. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Pornografia me të mitur", parashikuar nga neni 117/2/3 i Kodit Penal”, njofton policia.
I riu përdorte platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, kryesisht "Instagram" dhe "WhatsApp" për të shpërndarë pamjet sensitive të të miturve, shkruan A2.
Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular smartphone me të cilin është kryer kjo veprimtari, i cili do t’i nënshtrohet një ekspertimi të detajuar kibernetik.
Hetimet për këtë procedim vazhdojnë me qëllim identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. (A2 Televizion)