Shpërthimi që vrau 2 vetë/ Deputeti i PS, Bujar Çela, 2 orë shpjegime në SPAK

Nga Armand Bajrami
30 Tetor 2024, 17:29 | Kronikë

Pragu i SPAK u shkel të mërkurën nga një tjetër ligjvënës. Deputeti socialist Bujar Çela mbërriti në godinë, i shoqëruar nga një avokat. Për gati dy orë me radhë, Çela dha shpjegime para prokurorit Sotir Kllapi, për llogari të hetimit të nisur pas shpërthimit të fuqishëm të një magazine në pronësi të deputetit në Lushnje.

Në këtë ngjarje u vranë dy vetë dhe u plagosën shtatë të tjerë, mes të cilëve edhe vetë deputeti. Avokati i Çelës, Dritan Trifka, tha se deputeti u pyet në cilësinë e personit nën hetim.

Shpërthimi për të cilin dha shpjegime deputeti i mazhorancës ndodhi më 1 mars të këtij viti në lagjen “Karbunarë e Poshtme”, në Lushnjë. Sipas hetimit paraprak, shpërthimi që i mori jetën Roland e Elidion Hoxhës, babë e bir, erdhi pas një avarie me bombolat që përdoreshin për saldim me oksigjen.

Nga hetimi u zbulua se në kapanon po ndërtohej në tejkalim të një lejeje ndërtimi të dhënë nga Bashkia Lushnje. Më 7 mars, hetimi i nisur nga Prokuroria e Fierit për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “ndërtimit të paligjshëm”, “shpërdorimi i detyrës” dhe “shkatërimi i pronës nga pakujdesia” u përcoll për kompetencë në SPAK, për shkak se një nga personat nën hetim ishte Bujar Çela, anëtar i Kuvendit të Repulikës.

Në hetim për rastin janë edhe 6 persona të tjerë, zyrtarë të Inspektoratëve e Bashkisë Lushnje.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos