Shtohet droga me postë. Përmbyset raporti, kanabisi i “importit” më i preferuar

Nga Xhensila Kodra
27 Prill 2025, 14:53 | Kronikë

Shtohen ndjeshëm rastet kur droga vjen në Shqipëri me postë. Gjatë vitit të fundit, Policia e Tiranës ka goditur 10 raste kur në vendin tonë droga ka ardhur me postë nga Amerika, Tajlanda dhe Kanadaja. Thuajse në të gjitha rastet pakot me drogë janë kamufluar si të ishin rroba, bizhuteri apo dekor shtëpiak.

Pakot me kanabis që futen në territorin tonë janë me përqindje të lartë THC, drogë e cilësisë së lartë, shkruan A2. Për ekspertin Fatjon Softa, përdoruesit e lëndës narkotike po kërkojnë një drogë më të fortë se ajo e kultivuar në territorin shqiptar, duke bërë që edhe kërkesat për ardhjen e kanabisit me postë të jenë në rritje.

Sipas Softës, postat publike dhe ato private duhet të kenë më shumë kontroll nga autoritetet, pasi nëpërmjet tyre, përveç drogës mund të trafikohen edhe sende të tjera të jashtëligjshme.

Nëse pritësi i pakove me kanabis arrestohet, dënimi për këtë vepër penale kur kryhet nga një person i vetëm shkon nga 7 deri në 15 vite, e ndërsa kur janë dy ose më shumë persona, dënimi shkon nga 10 deri në 20 vite heqje lirie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos