Si nisi konflikti ku u dhunua avokati i Ilir Metës, policia zbulon detaje nga ngjarja

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2026, 15:14 | Kronikë

Si nisi konflikti ku u dhunua avokati i Ilir Metës, policia zbulon detaje

Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me dhunimin e Avokatit Kujtim Cakrani, duke zbardhur të tjera detaje nga ngjarja e ndodhur në një pikë karburanti të qytetit bregdetar. 

Sipas “bluve” dyshohet se konflikti ka nisur në lidhje me mënyrën si ishte pozicionuar makina në karburant, ku pretendohej se kishte bllokuar mjete të tjera. Mandej konflikti verbal është përshkallëzuar, ku dy të rinjtë e kanë goditur avokatin fizikisht, duke i shkaktuar plagë në trup.  

Policia thotë se ka identifikuar automjetin me të cilin janë larguar dy agresorët. 

Më herët në një prononcim për A2CNN avokati i ish-Presidentit Ilir Meta tha se është provokuar dhe është goditur nga pas, duke marrë dëmtime në kokë.

Sipas Cakranit ngjarja nuk lidhet me konflikte të mëparshme.

Në njoftimin e Policisë së Vlorës bëhet me dije: “Rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, pranë një karburanti, gjatë kohës që do furnizonte automjetin me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, me profesion avokat, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar.  Konflikti, që paraprakisht dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, është përshkallëzuar, dhe dy personat ende të paidentifikuar e kanë goditur fizikisht shtetasin K.C., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital. Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit”.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos