Mëngjesin e së martës Erion Veliaj u paraqit në SPAK për të dhënë deklarime në kuadër të hetimit të kësaj strukture për inceneratorin e Tiranës. Edhe pse i mbërritur aty për tjetër qëllim, përballjen e parë të ditës e pati me disa qytetarë të revoltuar mes të cilëve edhe ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu.
Kryebashkiaku Veliaj ishte thirrur nga SPAK për t’u paraqitur në orën 10:00, por ai kaloi pragun e godinës 1 orë e 10 minuta me herët. Për këtë shkak, për gati 45 minuta u detyrua të priste në mjediset hyrëse të godinës, në shoqërinë e dy vartësve të tij dhe oficerëve të Gardës. Më tej, për 7 orët në vijim, Veliaj u mor në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni, mbi rrethana të hetimit të SPAK për inceneratorin e Tiranës.
Ndërkaq, incidenti i mëngjesit rezultoi i mjaftueshëm që policia të 4-fishonte radhët e saj para SPAK. Kur Veliaj doli nga Prokuroria e Posaçme, para bashkisë së tij kishte nisur protesta. Kryebashkiaku u tregua i kursyer në detajet e deklarimeve të tij, por jo në superlativat ndaj SPAK dhe agjentëve të BKH, që iu referua si kolegë.
20 minuta më vonë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, e mbajtur online, Veliaj inkurajoi kreun e SPAK me sloganin e forcës së tij partiake, ndërsa ironizoi kundërshtarët politikë. Për kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, aktualisht po hetohen nën masa sigurie 15 persona, mes të cilëve edhe dy ish-drejtorë të bashkisë së kryeqyetit. (A2 Televizion)