Prokuroria e Tiranës ka vënë nën sekuestro dy shoqëri tregtare të mikro-kredive të akuzuar për krijimin e një skeme mashtrimi me pasojë zhvatjen e parave e pasurive të qindra qytetarëve.
Përmes një komunikimi zyrtar prokuroria e kryeqytetit njoftoi vendosjen e sekuestros mbi të gjitha kuotat dhe pasuritë e luajtshme a të paluajtshme dhe titujt e pronësisë të shoqërive “Micro Credit Albania” dhe “Final”, të cilat po hetohen për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”.
Sipas hetimit, këto dy shoqëri në bashkëpunim me shoqëritë ADCA dhe disa shoqëri përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperteje vlerësuese, bazuar në një mendim unik kriminal, kanë krijuar skemën abuzive mes së cilës kanë vjedhur nga qytetarët një total pasurie që shkon në miliona euro.
“MCA” dhe “Final” dyshohet se, pasi kanë siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna personale të debitorëve dhe familjarëve të tyre, numra telefoni, të dhëna të gjendjes civile, vendet e punës, i kanë përndjekur ata përmes telefonatave të vijueshme dhe jo vetëm më qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve për kredi të reja.
Sipas hetimit, në vijimësi kanë përdorur gënjeshtrën në përllogaritjen e detyrimeve, duke i fryrë shifrat pa bazë ligjore, si edhe ju kanë sekuestruar llogaritë bankare në kundërshtim me ligjin, përtej minimumit jetik. Jo vetëm kaq, por MCA dyshohet se ka kaluar në pronësi të saj pasuri të paluajtshme të debitorëve në ankande me vlera shumë më të ulëta se vlerat reale.
Të gjitha këto veprime sipas prokurorisë, kishin si qëllim shtrëngimin e debitorëve për të marrë kredi të reja për të shlyer kreditë e vjetra, por me interesa shumë më të lartë.
Një muaj më parë Gjykata e Tiranës caktoi 5 masa sigurie “arrest në burg” dhe 4 të tjera “arrest në shtëpi” për administratorë të shoqërive të mikrokredive dhe shoqërive përmbarimore, të akuzuar për “vjedhje” e “shpërdorim të detyrës” përmes kësaj skeme. (A2 Televizion)