Skandali i videove intime, gazetari: Do pyeten 8 persona, më herët ka patur denoncime në polici për raste të ngjashme

Nga A2 CNN
1 Tetor 2026, 20:49 | Kronikë

Gazetari Ervin Leka tregoi hapat që po ndërmerr policia në lidhje skandalin e videove intime të kompozitorit Ardian Hila.

“Është një hetim kompleks, por edhe i sikletshëm, të paktën nga ajo se çfarë kam informacione nga ana e Policisë së Tiranës. Policia ka rënë në gjurmët e këtyre videove dy ditë më parë. Hapi i parë që ka bërë, ka njoftuar edhe personin që si duket i ka filmuar këto video. I ka thënë se kemi të bëjmë me disa video që janë shpërndarë kryesisht nëpër rrjetet sociale dhe ËhatsApp dhe më pas ky person, pra Ad Hila është përgjigjur se do të vijë dhe do të jetë i disponueshëm për ditën e sotme në Policinë e Tiranës. Por, deri në këtë moment nuk ka pasur një reagim apo ardhje të tij, qoftë për të sqaruar ngjarjen apo për të dhënë edhe deklaratat në Policinë e Shtetit. Më pas, hapi tjetër që është bërë nga policia, kanë kontaktuar me dy nga personazhet që shfaqen në video për të pasur një denoncim, të cilin ende nuk e kemi, çka do të sillte një hap tjetër me masa shtesë, më të ashpra për personin në fjalë apo me avancimin e këtij hetimi”, tha Leka në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Gazetari shtoi se deri në këto momente, “vetë personi që dyshohet se i ka filmuar me dijeni të plotë këto video, nuk është paraqitur ende në polici”.

“Pritet ndoshta ditën e nesërme që të japë sqarimin. Ndërkohë, për sa i përket se si do të vijojë ky hetim, në rast se nuk do të kemi një paraqitje të Adi Hilës në këtë rast, mund të kemi edhe ndonjë shoqërim forcërisht për t'i marrë dhe një deklaratë për atë se çfarë ka ndodhur, se si është filmuar apo se si janë shpërndarë”, theksoi Leka.

Sipas tij, policia “po ecën paralelisht me dy pista”.

“Pista e parë është ajo e një rrjedhje informacioni, pra një hakerimi të sistemit të kamerave, pasi ajo kamerë mund të jetë lidhur me ëifi. Ndërsa pjesa tjetër ku po hetohet është një skenar akoma më i rëndë, që mund të jetë shitja e këtyre materialeve nëpër faqe pornografike, çka mund të ketë sjellë pra edhe përfitime monetare, por kjo duhet parë në avancimin e hetimit, nëse do të bëhet një këqyrje e kartave bankare. Procesi i shpërndarjes së parë të këtyre videove rezulton që në prill të këtij viti në rrjetin Telegram, në një grup komunikimi ku janë mbi 10 apo 15 mijë persona anëtarë. Videot rezultojnë që janë të filmuara në fund të vitit 2024 dhe fillimi i vitit 2025. Çka e shtyn policinë që më shumë të besojë që mund të jetë një hakerim, është për shkak se këto video nuk ruhen në një server më shumë se një muaj dhe fshihen automatikisht. Ndryshon puna nëse personi në fjalë, Adi Hila në këtë rast, mund t'i ketë ruajtur në USB apo kompjuter”, sqaroi gazetari.

Sipas Lekës, do të merren në pyetje për këtë çështje 8 persona, mes tyre edhe dy burra që shfaqen nëpër videot intime.

“Policia ka kontaktuar me dy prej këtyre personave që shfaqen në video, por e kanë lënë për një moment të dytë për shkak të tronditjes që kanë pësuar. Në ditët në vijim mund të kemi zhvillime të reja, nëse do të ketë një denoncim për veprat penale, për shkak se janë mbi katër vepra penale që të paktën ka bërë referimin e nisur kryesisht Policia e Tiranës dhe mund të kemi mbase edhe veprime të tjera të policisë, qoftë shoqërim apo vazhdimin e këtyre hetimeve”, shpjegoi Leka.

Sipas tij, “ka pasur pafund raste, sidomos në vitin 2025, të denoncimeve në krimin kibernetik, kryesisht nëpërmjet shantazheve”.

“Ka pasur raste madje edhe të vajzave minorene që kanë denoncuar në Policinë e Tiranës për sa i përket përmbajtjeve dhe shpërndarjeve kryesisht në rrjetet sociale. Këtyre rasteve në fakt i kanë shkuar deri në fund, por problemi është tek denoncimi. Pra, nëse personat që kanë rënë pre e këtyre filmimeve shkojnë deri në polici, atëherë diçka bëhet. Mirë apo keq, por të paktën nga hetimet janë bllokuar video. Ka pasur arrestime pafund, por problemi lind tek momenti që nuk denoncohet. Dua të kujtoj në fakt vetëm pak vite më parë ka pasur një grup tjetër në Telegram ku shpërndaheshin përmbajtje, madje edhe me vajza minorene, kryesisht në shtetin e Kosovës. Policia atje arrestoi mbi katër persona që ishin menaxherët e këtij grupi, por aty ishin shumë shqiptarë që në fakt i aksesonin lirshëm videot që ishin hedhur”, sqaroi gazetari Ervin Leka.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos