Aldor Nini, drejtor i AcroMax, deklaroi se duhet një ligj në vendin tonë që të mbrojë nga ato që i quajti “shkelje të tilla të rënda”, duke iu referuar skandalit të videove intime të artistëve që kanë qarkulluar dy ditët e fundit.
“I kemi propozuar Ministrisë së Drejtësisë mundësimin e urdhërit të përkohshëm, siç është edhe urdhri i mbrojtjes. Të ketë mbrojtje nga shkelje të tilla të rënda, duke ruajtur gjithmonë fjalën e lirë. Sot, ne jemi të pambrojtur dhe kemi qenë të varur nga ligjet e shteteve të huaja për të bllokuar video”, tha Nini në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Më tej, ai tregoi se si mund të funksionojë urdhri i mbrojtjes: “Merr vendim nga gjykata, ia dërgon META-s dhe i thua që X video duhet bllokuar dhe nuk duhet publikuar. Përndryshe, vendosen gjoba dhe gjobat vendosen ndaj META-s. Në vendet e tjera ndodh kjo, por ne nuk e kemi ligjin. Bazuar në këtë, ne kemi bërë kërkesën për projektligj. Kjo vlen edhe për të drejtën e autorit apo lajmet e rreme”. (A2 Televizion)