"Sterilizimi", Gjykata e Posaçme kërkon rëndim të pozitës penale të ish-ministrit Ilir Beqja

Nga Armand Bajrami
23 Dhjetor 2024, 11:34 | Kronikë

Nga kjo e hënë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të përballet me drejtësinë për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grupit të strukturuar kriminal” në lidhje me aferën e koncesionit të “Sterilizimit”. E njëjta akuzë do të rëndojë edhe mbi shpatullat e ish-zv.ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit, Ilir Rrapaj.

Me orientim të Gjykatës së Posaçme, SPAK rikualifikoi akuzat e mëparshme, duke rënduar në këtë formë pozitën penale ndaj të tre të pandehurve. Gjyqtarja paraprake vlerësoi se, referuar dosjes së SPAK dhe shpjegimeve të dhëna nga të pandehurit gjatë shqyrtimit paraprak, akuza ndaj Beqajt, Rrapajt dhe Rrjepajt duhet të ndryshonte.

Sipas gjykatës, ish-ministri Beqaj dhe dy të bashkëpandehurit ishin pjesë e një grupi kriminal me qëllim vjedhjen përmes shpërdorimit të detyrës. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura bënë me dije se prokurori Edvin Kondili, ndonëse pranoi sugjerimin e gjykatës, është shprehur se akuzat e ngritura nga SPAK ishin të drejta.

Ndërsa qëndrimi i gjykatës se të pandehurit kanë vjedhur për interes të tyre ka ngjallur reagimin e ish-ministrit nga kafazi i sallës së gjyqit. “Nëse unë kam vjedhur, ku janë lekët dhe sa kam vjedhur? A ka një shumë?” ka pyetur ish-ministri. Nga ana tjetër, pas rëndimit të pozitës penale, i pandehuri Rrapaj ka pësuar një gjendje të fikëti.

Pas rikualifikimit të akuzës, gjykata u ka lënë 10 ditë kohë të pandehurve të paraqesin prapësimet e tyre. Për gjashtë të pandehurit e tjerë nuk kanë ndryshuar akuzat.

Në mars të këtij viti, në mbyllje të hetimit të “Sterilizimit”, SPAK kërkoi gjykimin e Ilir Beqajt për “shpërdorim të detyrës”, Klodian Rrjepajt për “mashtrim” me pasoja të rënda, “falsifikim të dokumenteve” e “shpërdorim të detyrës”, dhe Ilir Rrapajt për “mashtrim”.

Sipas SPAK, koncesioni i sterilizimit u lidh në shkelje të ligjit, pas paraqitjes së të dhënave false nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, mbivlerësimit të rremë të kostove dhe favorizimit të kompanisë fituese, fakte për të cilat kishin dijeni edhe Beqaj e Rrjepaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos