Një 68-vjeçar është gjendur pa shenja jete në një banesë në lagjen “10 Korriku”, në zonën e Çentrales, në Vlorë.
Policia e Vlorës thotë se 68-vjeçari ka humbur jetën si rrjedhojë e arrestit kardiak që ka pësuar. Por, as policia, ashtu siç pati dyshime në fillim, nuk e përjashton pistën e grabitjes dhe të vrasjes. Kjo për shkak se në nofullën dhe fytyrën e të moshuarit janë konstatuar plagë për të cilat ka dyshime se mund të jenë kryer me sende të forta.
Ndaj, policia për këtë ngjarje vijon hetimet. Dy prej fqinjëve të 68-vjeçarit tregojnë se ai jetonte i vetëm, pasi ishte i ndarë nga bashkëshortja dhe fëmijët i kishte në emigrim.
Dyshime rreth ngjarjes ka edhe për faktin që plagët në fytyrë të 68-vjecarit mund të jenë shkaktuar edhe nga qeni. Ai dyshohet se të ketë qenë prej më tepër se 12 orësh i vdekur.
Ka qenë një prej fqinjeve të tij e cila ka lajmëruar policinë për faktin se i moshuari nuk përgjigjej.
Dyshimet që mund të jetë grabitje lidhen edhe me faktin se ai është gjetur në shtrat dhe pa rroba në momentin e parë nga policia. (A2 Televizion)