Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurve të dosjes Sterilizimi, për gjykim të shkurtuar. Kërkesë për gjykim të shkurtuar nuk ka bërë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, raporton A2 CNN. Sipas gjykatës, në kushtet kur Beqaj nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, veçohet çështja ndaj tij.
Ish-ministri i Shëndetësisë është nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre në lidhje me koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqaj ka miratuar dhe nënshkruar kontratën koncesionare në kundërshtim me ligjin, pa kryer një studim të detajuar për nevojat reale të shërbimit dhe pa shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit.
Në mars 2024, SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme, duke përfshirë edhe ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh, mashtrim dhe shpërdorim detyre.
Beqaj ka mohuar akuzat, duke mbrojtur koncesionin si një projekt që ka sjellë përfitime për sistemin shëndetësor dhe qytetarët . Ai ka kërkuar që të pyetet sërish nga hetuesit dhe ka paraqitur kërkesa për veprime shtesë hetimore. (A2 Televizion)