Të gjitha detajet: Kronikë e një krimi të paralajmëruar që tronditi Velipojën

Nga Gazment Janku
20 Gusht 2024, 15:16 | Kronikë

Krimi që tronditi Velipojën mbrëmjen së hënës, me dy persona të vrarë dhe një tjetër të plagosur, nuk ishte një rrufe në qiell të hapur, si për viktimat dhe autorët e dyshuar, ashtu edhe për policinë e Shkodrës.

Faktet e zbardhura orë pas ore pas këtij krimi të dyfishtë, tregojnë se vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku, pronarët e një hoteli në Velipojë, ishin në konflikt me njërin nga viktimat, Ersild Ishmin, që në datën 28 qershor, kohë në të cilën, Ishmi kishte patur një konflikt me armë në restorantin e vëllezërve Frroku dhe ku kishte tentuar të godasë me armë kuzhinierin e restorantit.

Pas këtij momenti, televizioni A2 CNN ka mësuar se pronarët e hotelit kishin denoncuar Ersild Ishmin, i cili u arrestua nga policia në datën 17 korrik, fakt të cilin e ka pohuar pas kësaj ngjarje edhe drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës.

Por pas arrestimit, Ersild Ishmi lirohet nga gjykata me masën e sigurisë arrest shtëpie dhe me shumë gjasë, në thyerje të kësaj mase ai ka shkuar mbrëmjen së hënës sërish pranë hotelit të vëllezërve Frroku, së bashku me kuantin e tij, Arsid Hoxha për t’u sqaruar me vëllezërit Frroku, nënvizon televizioni A2 CNN. 

Në këtë linjë është edhe dëshmia e xhaxhait të vëllezërve në një prononcim për mediat. “Ngjarjen e mësova nga mediat, unë jetoj në Bushat. Konflikti ka nisur para dy javëve, policia i ka arrestuar, gjykata dhe prokuroria i ka liruar dhe kanë bërë shumë gabim. Kjo që ka ndodhur është fatkeqësi për ne dhe për ta. Nipat e mi kanë punuar që 14 vjeç në Itali dhe gjithë mundin e kanë hedhur këtu", tha xhaxhai i vëllezërve Frroku, raporton A2 CNN. 

Dëshmitarë në vendngjarje janë shprehur së përpara se të përdoreshin armët e zjarrit, mes vëllezërve Frroku dhe viktimave ka patur përleshje fizike. Sakaq, policia e Shkodrës ka arrestuar dy punonjës të hotelit që administronin vëllezërit Frroku, si të dyshuar të implikuar në konflikt fizik para së të kryheshin vrasjet. Ndërsa vëllezërit Eduart dhe Gëzim Frroku janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje pritet të verifikohen edhe veprimet e prokurorisë si dhe vendimi i gjykatës së Shkodrës për masën e arrestit shtëpiak të dhënë për një nga viktimat. |A2 CNN| (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos