
SPAK ka përfunduar hetimin ndaj kreut të bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli. Dosja penale ndaj kryebashkiakut socialist është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK kërkon gjykimin e tij për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.
Shkreli u mor i pandehur për këtë vepër penale në ditët e para të tetorit, ndërsa hetimi ndaj tij nisi gjatë fushatës elektorale të 11 majit, hetim i zhvilluar në gjendje të lirë për zyrtarin vendor.
Pak ditë pas zgjedhjeve, agjentët e BKH i sekuestruan atij aparatin telefonik celular. Sipas burimeve pranë SPAK, Shkreli është përgjuar në komunikime telefonike teksa kërkonte vota në këmbim të dy investimeve publike, një rikonstruksion rruge në një zonë rurale dhe rregullimi i një linje të energjisë elektrike.
Kryebashkiaku i zgjedhur si kandidat i PS në vitin 2023, gjatë fushatës zgjedhore të majit 2025 u vu në qendër të kritikave, pas një komenti drejt tij nga kryeministri Edi Rama.
Shefi i qeverisë i tha: “Kristian, mos luaj me dy porta, Kristian”, pas dyshimeve se po bënte fushatë për Partinë Social Demokrate të Tom Doshit dhe jo për Partinë Socialiste. (A2 Televizion)
