Tjetërsimi i pronave në bregdet ka çuar në pranga juristin i Kadastrës së Tiranës Mikel Zaho. Ai akuzohet se ka kryer praktikën e paligjshme të tjetërsimit me dokumente false të një parcele prej 2 mijë metrash tokë gjatë kohës që punonte në Kadastrën e Durrësit në vitin 2021. Përfitues sipas prokurorisë ka qenë biznesmeni Ilias Fisheku, i cili u arrestua bashkë me dy persona të tjerë të implikuar në këtë rast.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaloi shtetasin në kërkim M. Z., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës"”, njofton Policia.
Kjo është hera e tretë që arrestohet Zaho. Ish-juristi fillimisht u vu në pranga në vitin 2019, më pas sërish më 2021 dhe këtë të mërkurë, më 4 dhjetor 2024. (A2 Televizion)