Trafik armësh nga Shqipëria drejt Anglisë, 3 të arrestuar

Nga A2 CNN
1 Gusht 2024, 15:11 | Kronikë

Policia e Shtetit ka arrestuar 3 persona të cilët akuzohen se janë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, BKH-në dhe autoritetet ligjzbatuese britanike.

“Sekuestrohet një arsenal armësh i përbërë nga 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), qindra fishekë, lazera që i montohen armëve speciale dhe shërbejnë për qitje në distancë, dhe pajisje optike.  Sekuestohen dhe veshje kamuflazhi si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika)”, tha policia.  

Përveç tre të arrestuarve, shtetasit A.H., B.T. dhe R.A., të tre banues në Tiranë, janë shpallur në kërkim edhe 3 persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilët GJKKO ka caktuar të njëjtën masë sigurie. 

Arsenali i armëve dhe sendet e tjera të sekuestruara janë gjetur në banesën e shtetasit A. H., i cili nga hetimit rezulton drejtuesi i grupit kriminal. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në 6 banesa, në Tiranë dhe në Tropojë.

Operacioni, në kuadër të procedimit të iniciuar në muajin prill të vitit 2023, nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Në muajin prill 2023, Policia, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, sekuestroi në Portin e Durrësit, një tjetër arsenal armesh (8 pistoleta) që do trafikoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, me një furgon me targa angleze, drejtuesi i të cilit u vu në pranga.

Në drejtimin e SPAK-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me BKH-në dhe me autoritetet ligjzbatuese britanike, vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos